Optimizëm në Bruksel për negociatat e Shqipërisë! Koopman: Rezultatet e integrimit varen nga ecuria e reformave
Drejtori për zgjerimin në KE, Gert-Jan Koopman ka shprehur optimizëm për mbylljen e negociatave për vendin tonë brenda vitit 2027.
“Në udhërrëfyesin për Shqipërinë kemi parashikuar mbylljen e përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave deri në fund të vitit 2027. Shqipëria ndodhet pak a shumë aty ku ndodhej Mali i Zi në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Tani, natyrisht, realizimi i këtij objektivi varet edhe nga ajo që ndodh brenda vendit”, tha Koopman.
Koopman shpreson se Mali i Zi dhe Shqipëria do të ruajnë ritmin e reformave.
“Nëse kthehemi pas, në vitin e kaluar apo atë të mëparshëm, afatet kohore për Malin e Zi dhe Shqipërinë ishin të përcaktuara; dhe ndoshta jo të gjithë prisnin që këto dy vende t’u përmbaheshin këtyre afateve, pa hasur në vonesa të konsiderueshme. Pra, ajo që tregon kjo është se, pavarësisht të gjitha ndërlikimeve, vështirësive dhe në metodologjinë aktuale të zgjerimit ajo jep rezultate nëse ka vullnet të mjaftueshëm nga të dyja palët”, tha Koopman.
Sipas Koopman masat mbrojtëse do ta përshpejtojnë procesin.
“Ne kemi tashmë një udhërrëfyes që tregon vrullin e vazhdueshëm të procesit të zgjerimit për katër vendet që kryesojnë, përfshirë Malin e Zi, por edhe Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Ne kemi paraqitur nisma të reja të rëndësishme që lidhen me integrimin gradual. Kemi propozuar edhe atë që unë do ta quaja një gjeneratë të re masash mbrojtëse, që do t’i mundësonte Këshillit Evropian që të trajtojë në mënyrë thelbësore çdo regres në një shtet të ri anëtar në rastet kur cenohen parimet e shtetit ligjor. Kjo mund të shkojë deri në heqjen ose pezullimin e përkohshëm të të drejtave të votës. U them miqve të Ballkanit Perëndimor atyre shteteve anëtare që janë jashtëzakonisht miqësore ndaj këtij rajoni se gjëja më e mirë që mund të bëjnë është që të sigurojnë ekzistencën e mekanizmave të fortë mbrojtës. Kjo rrit në maksimum gjasat që referendumet në Francë, e ndoshta edhe në Holandë të kenë sukses”, tha Koopman.