Instalacioni i Lek M. Gjeloshit në HangArt
Më 29 nëntor në HangArt, Galeria Kombëtare e Arteve nis një cikël të ri ekspozitash personale të artistëve shqiptarë në fazën e konsolidimit të karrierës.
Programi nis me instilacionin e ri “My heart stops missing a beat, every time”, nga Lek M. Gjeloshi.
Artisti eksploron dëshirën për t’iu afruar asaj që mbetet përtej mundësive tona për ta arritur. Ai frymëzohet nga një liqen në formë zemre, fshehur brenda kraterit vullkanik të ishullit Tristan da Cunha. Përmes transformimit të imazheve satelitore në një video-instalacion anamorfik me dy kanale, artisti krijon një peizazh në ndryshim të vazhdueshëm, të pezulluar mes realitetit gjeografik dhe imagjinatës.
Instalacioni shoqërohet nga një kolonë zanore e zhvilluar në bashkëpunim me muzikantin Kolë Laca, duke e ftuar publikun në një udhëtim shqisor.
Ekspozita shënon nisjen e një cikli veprash të reja të porositura, kushtuar pozicioneve të rëndësishme të artit bashkëkohor shqiptar, të përfaqësuara nga artistë në fazën e konsolidimit të karrierës, të cilët nuk kanë pasur ende një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Nisma e drejtores së GKA, Adela Demetja, do te zhvillohet në HangArt, një hapësirë e përkohshme ekspozuese e Galerisë, ndërkohë që godina historike e institucionit është në proces rikonstruksioni, dhe pritet të inaugurohet në 2027.
Artisti Lek M. Gjeloshi (i datëlindjes 1987) jeton dhe punon në Shkodër. Veprat e tij janë prezantuar ndër të tjera në Manifesta 14, Villa Romana, Autostrada Biennale dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë. Ai ka studiuar Arte të Bukura në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence dhe në vitin 2016 është vlerësuar me Çmimin Ardhje.