CAS-i rrëzon Dinamon, italiani fiton shumën e majmë në gjyq me blutë falë dëshmisë së Mehmetit
Një tjetër detyrim financiar për Dinamon vjen nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Institucioni më i lartë i drejtësisë sportive i ka dhënë pjesërisht të drejtë trajnerit italian Korrado Sakone në çështjen kundër klubit kryeqytetas, duke e detyruar këtë të fundit të paguajë në total 38 300 euro, pa përfshirë interesat.
Vendimi është marrë më 22 tetor 2026 në Lozanë, në përfundim të shqyrtimit të apelimit të paraqitur nga Sakone kundër vendimit të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në Shqipëri, më 12 dhjetor 2024. CAS-i e ka pranuar pjesërisht ankimimin dhe ka ndryshuar vendimin e mëparshëm, duke zgjeruar ndjeshëm detyrimin financiar të Dinamos.
PARATË
Shuma prej 38 300 eurosh përbëhet nga 10 mijë euro paga të mbetura për kontratën zyrtare të punës, 27 500 euro nga marrëveshja e të drejtave të imazhit dhe 800 euro rimbursim për qiranë e muajve gusht dhe shtator 2024. Për pagat dhe marrëveshjen e imazhit, klubi duhet të paguajë interes vjetor prej 10 për qind për çdo këst mujor të papaguar, ndërsa për shumën e qirasë është përcaktuar interes 5 për qind në vit, duke nisur nga data e vendimit të CAS-it.
KONFLIKTI
Në qendër të konfliktit ishte largimi i Sakones nga stafi i ekipit të parë. Trajneri italian ishte punësuar nga Dinamo në korrik të vitit 2023 si përgatitës atletik i skuadrës së parë, por në shtator 2024 klubi e kaloi në Akademi dhe te skuadra U-21, pa marrëveshjen e tij. Për më tepër, Sakone pretendoi se nuk iu vunë më në dispozicion programet e stërvitjes së ekipit të parë dhe se u gjobit për mungesat në seancat stërvitore të Akademisë dhe U-21.
GJYQI
Pas kërkesave të tij për t’u rikthyer në detyrën e përcaktuar në kontratë, të cilat nuk morën përgjigje nga klubi, Sakone vendosi të ndërpresë marrëdhënien kontraktuale më 4 tetor 2024, duke e konsideruar veprimin e Dinamos si shkelje të marrëveshjes. Një nga pikat kryesore të vendimit të CAS-it lidhet me marrëveshjen e të drejtave të imazhit. Sakone argumentoi se ajo ishte në të vërtetë pjesë e shpërblimit të tij për punën te Dinamo dhe nuk përfaqësonte një marrëdhënie të veçantë nga kontrata e punës. Gjykata e pranoi këtë interpretim, duke e konsideruar pagesën mujore prej 2500 eurosh si pjesë të pagës së trajnerit dhe, për rrjedhojë, pjesë të kompensimit që i takonte pas ndërprerjes së kontratës.
MEHMETI
Dëshmia e ish-trajnerit të Dinamos, Dritan Mehmeti, ishte ndër elementet e shqyrtuara gjatë procesit. Ai u dëgjua si dëshmitar në seancën e zhvilluar me videokonferencë më 11 qershor 2025. Duhet theksuar se CAS-i nuk ndryshoi konstatimin e mëparshëm se kontrata e punës ishte ndërprerë pa shkak të justifikuar, pasi kjo pikë nuk ishte kundërshtuar nga palët. Ndërhyrja e tij lidhet kryesisht me vlerësimin e marrëveshjes së të drejtave të imazhit dhe me përcaktimin e shumës së plotë që Dinamo duhet t’i paguajë trajnerit italian.
DËMSHPËRBLIMI
Në përfundim, klubi duhet të shlyejë 38 300 euro, së bashku me interesat përkatëse deri në momentin e pagesës. Kërkesat e tjera të paraqitura në këtë proces janë rrëzuar nga CAS-i.