Kilmar Abrego Garcia largohet nga SHBA drejt Spanjës, mbyllet beteja e gjatë e deportimit
Kilmar Ábrego García, i cili u deportua gabimisht në El Salvador në vitin 2025, po largohet nga Shtetet e Bashkuara drejt Spanjës, duke i dhënë fund betejës së gjatë të deportimit me administratën e presidentit Donald Trump, siç njofton BBC.
Sipas CBS News, partnerit amerikan të BBC-së, ai do të marrë të martën një fluturim komercial drejt Spanjës, ndërsa sipas agjencisë AP, një gjyqtar i tha të vetë-deportohej të martën.
Senatori demokrat i Maryland-it, Chris Van Hollen, i cili e vizitoi Ábrego Garcían në burgun Cecot në El Salvador në vitin 2025, deklaroi të martën: “Sot, Kilmar po udhëton drejt një vendi të zgjedhur prej tij, njeri i lirë — i padëmtuar dhe me dinjitet.”
Historia e tij nis në vitin 2019, kur u arrestua dhe një gjyqtar i dha mbrojtje nga deportimi drejt El Salvadorit, për shkak të rrezikut të persekutimit nga një bandë. Megjithatë, në mars të vitit 2025 administrata Trump e deportoi atje gabimisht dhe ai u mbajt në burgun Cecot. Gjykata e Lartë urdhëroi qeverinë të lehtësonte kthimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
Pas kthimit, ai u përball me akuza për trafikim njerëzish, të cilat një gjyqtar federal i rrëzoi, duke thënë se ishte akuzuar për arsye politike. Më pas administrata u përpoq ta dërgonte në Uganda ose në Gana dhe kërkoi deportimin e tij drejt Liberisë, por një gjyqtar ndaloi deportimin drejt një vendi të tretë. Ábrego García kishte shprehur gatishmëri të deportohej në Kosta Rika.
Me nisjen drejt Spanjës, një vend që ai e zgjodhi vetë, mbyllet kështu një nga rastet më të ndjekura të politikës së deportimeve në Shtetet e Bashkuara.