E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE synon shndërrimin në fuqi globale në teknologjinë kuantike

BRUKSEL – BE synon shndërrimin në fuqi globale në teknologjinë kuantike

BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian do të prezantojë sot një strategji të re për ta kthyer Evropën në një fuqi botërore në teknologjinë kuantike deri në vitin 2030, duke synuar të shmangë gabimet e bëra në garën globale për inteligjencën artificiale.

E shqetësuar se po mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale, BE-ja synon të investojë më herët në teknologjinë kuantike dhe të krijojë kompani evropiane konkurruese në këtë sektor.

Kjo teknologji shfrytëzon ligjet e mekanikës kuantike, të cilat përshkruajnë sjelljen e materies në shkallë atomike dhe nënatomike, për të zgjidhur disa probleme shumë më shpejt se kompjuterët tradicionalë.

Sipas Komisionit Evropian, teknologjia kuantike mund të sjellë përparime të rëndësishme në zhvillimin e barnave, diagnostikimin më të hershëm të sëmundjeve, prodhimin e baterive me efikasitet të lartë dhe përshpejtimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Në qendër të kësaj nisme është ligji i ri i quajtur “Quantum Act”, i cili parashikon që fondet publike të favorizojnë kompanitë evropiane kundrejt atyre jashtë BE-së. Megjithatë, autoritetet mund të blejnë produkte dhe shërbime edhe nga vende me të cilat Bashkimi Evropian ka partneritete.

Ligji është pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë e Evropës nga teknologjia amerikane dhe ajo e vendeve të tjera jashtë bllokut.

Komisionerja evropiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, pritet ta prezantojë projektligjin në Parlamentin Evropian. Miratimi i tij do të kërkojë negociata mes shteteve anëtare dhe Parlamentit.

Aktualisht, Evropa është ndër liderët botërorë në kërkimin shkencor kuantik, por mbetet prapa në shndërrimin e këtyre arritjeve në produkte dhe mundësi konkrete biznesi.

Nisma është mirëpritur edhe nga industria teknologjike. Kompania amerikane IBM vlerësoi se ligji tregon se Evropa e konsideron teknologjinë kuantike një mundësi për të tashmen dhe jo thjesht një perspektivë të largët.

Përveç përdorimit në industri dhe mjekësi, BE-ja thekson rëndësinë e saj për sigurinë dhe mbrojtjen. Sistemet kuantike mund të mundësojnë komunikime më të sigurta për ushtrinë dhe institucionet e sigurisë kombëtare, si dhe zhvillimin e pajisjeve më të avancuara ushtarake.

Megjithatë, kjo teknologji paraqet edhe rreziqe për sigurinë kibernetike, pasi kompjuterët kuantikë mund të bëhen të aftë të thyejnë sistemet aktuale të enkriptimit që mbrojnë të dhënat digjitale.

Shqetësimet për sigurinë janë shtuar pas sulmeve të fundit kibernetike ndaj institucioneve dhe kompanive evropiane. Komisioni Evropian bëri të ditur javën e kaluar se sistemet e tij ishin goditur në tetor nga një sulm kibernetik i ndihmuar nga inteligjenca artificiale. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment