Hynë pa leje në rezidencën e Princit William dhe Kate Middleton, dy shqiptarë arrestohen në Angli
Dy burra me origjinë shqiptare u arrestuan në Angli pasi dyshohet se hynë pa leje në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, siç njofton BalkanWeb. Sipas njoftimit, ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës, kur ata depërtuan në Anmer Hall dhe vunë në funksion sistemet e sigurisë. Mediat britanike raportojnë se njëri prej të arrestuarve dyshohet se po qëndronte në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimet paraprake, siç njofton BalkanWeb, sugjerojnë se të dy mund të mos e kenë ditur se prona i përkiste çiftit mbretëror dhe se qëllimi i tyre mund të ketë qenë vjedhja. Autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat për të përjashtuar një motiv tjetër. Të dyshuarit ishin të maskuar dhe aktivizuan sisteme të avancuara sigurie, përfshirë kamera survejimi, sensorë lëvizjeje dhe teknologji lazeri.
Pas alarmit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi me qen nuhatës, dronë dhe një helikopter të Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare, të pajisur me kamera infra të kuqe. Të dy burrat u gjetën dhe u arrestuan brenda territorit të pronës.
Policia e Norfolkut konfirmoi se askush nuk ndodhej në shtëpi në kohën e ngjarjes. Të dy të dyshuarit vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Anmer Hall shërben si rezidencë pushimesh për Princin William dhe Princeshën Kate. Ajo iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011. Vendbanimi i tyre kryesor është Forest Lodge në Windsor, ku jetojnë me tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndërsa rezidencën në Norfolk familja e përdor në fundjavë dhe gjatë pushimeve shkollore.