E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KOLUMBI – 37 pengje në një supermarket lirohen pas sulmit policor dhe ushtarak

KOLUMBI – 37 pengje në një supermarket lirohen pas sulmit policor dhe ushtarak

KARTAGJENË, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Të gjithë pengjet e mbajtura që nga e marta nga burra të armatosur, në një supermarket në qytetin turistik të njohur të Kartagjenës, në Kolumbi, u liruan sot pas një sulmi të forcave të sigurisë, njoftoi presidenti kolumbian.

Në vendngjarje u dëgjuan disa shpërthime përpara se policia, e mbështetur nga ushtria dhe forcat speciale, të hynte në supermarket, ku rreth 20 persona ishin mbajtur për gati 17 orë.

”Një nga pengmarrësit u vra gjatë operacionit”, tha presidenti Abelardo de la Espriella, pa dhënë detaje mbi shëndetin e të liruarve.

“Ne u dhamë atyre mundësinë të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet. Ata refuzuan dhe ne vepruam me vendosmëri”, deklaroi presidenti, duke e mbrojtur operacionin si “të përsosur” në median sociale.

Ai mbërriti në Kartagjenë të martën në mbrëmje për të mbikëqyrur personalisht operacionet, së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe shefat e policisë.

”Situata e pengjeve filloi të martën në mëngjes kur sulmuesit u strehuan në supermarket pas një grabitjeje të dështuar të një furgoni të blinduar”, sipas presidentit kolumbian.

Imazhet e transmetuara në media dhe në rrjetet sociale treguan burra të maskuar të armatosur me pushkë së bashku me pengje të gjunjëzuara brenda supermarketit ”Exito”.

Nga 30 personat e mbajtur fillimisht, 10 ishin liruar, përfshirë nëntë gra të moshuara, sipas policisë lokale./ a.jor.

Lini një koment