Dinamo B dominon në Grupin A, Turbina dhe Sopoti B në tjetrin
Kategoria e Tretë ka zhvilluar ndeshjet e javës së pestë, ku në të dy grupet është shtuar rivaliteti dhe gradualisht kane nisur të ndahen edhe zonat e influencës dhe pretendimet e klubeve pjesëmarrëse. Nuk kanë munguar as rezultatet surprizë, si dhe festivalet e golave.
GRUPI A
Java e pestë e Grupit A konfirmoi momentin e shkëlqyer të Dinamo B, që vazhdon marshimin perfekt dhe kryeson e vetme me pikë të plota. Dinamovitët mposhtën thellësisht North United me rezultatin 5-0, duke regjistruar fitoren e katërt në po kaq ndeshje. Hekuran Berisha dhe Franci Hysalliu realizuan nga dy gola, ndërsa Deis Sogani plotësoi suksesin.
Në ndjekje qëndrojnë Bulqiza dhe Miloti me nga 10 pikë. Bulqizakët fituan 3-0 ndaj Mirditës, në një takim ku vendasit përfituan edhe nga dalja me karton të kuq e portierit kundërshtar. Klodian Shehu ishte protagonist me dy gola, ndërsa Erik Gjoka zhbllokoi rezultatin. Edhe Miloti regjistroi një fitore bindëse, duke mposhtur Tiranën B 4-1 në transfertë. Lorenxho Murra dhe Adjei Enoh Kojo spikatën në pjesën e parë, ndërsa Amponsah vulosi suksesin.
Shënkolli fitoi 2-0 ndaj Adriatikut, me golat e Taulant Gjokës dhe Anton Lleshit nga penalltia. Ndërkohë, ndeshja mes Korabit B dhe KF Shkodrës dhuroi spektakël dhe gjashtë gola, duke përfunduar 3-3. Shkodranët shënuan që në minutën e dytë me Enea Haxhijën, i cili realizoi dy herë, ndërsa dibranët iu përgjigjën me Gjonin, Reçin dhe Spahiun. Në renditje, pas treshes së kreut, Korabi B mban vendin e katërt me tetë pikë. Në fund, Tirana B, Adriatiku dhe Mirdita vazhdojnë të kërkojnë rezultatet e para pozitive për të dalë nga zona e fundit.
GRUPI B
Java e pestë e Grupit B ishte një festival i vërtetë golash, me 31 realizime në gjashtë ndeshje dhe një mesatare mbi pesë gola për takim. Surprizat nuk munguan, pasi Turbina pësoi humbjen e parë sezonale, ndërsa Sopoti B përfitoi për t’u barazuar me të në krye të renditjes, të dyja me nga 12 pikë. Egnatia B shkaktoi surprizën në Cërrik, duke mposhtur Turbinën 2-1. Murati dhe Hajderaj realizuan për rrogozhinasit, ndërsa Ismaili shënoi për vendasit.
Nga ana tjetër, Sopoti B fitoi 3-1 ndaj Kinostudios, me Harith Jargavanin që ishte protagonisti absolut, duke realizuar një tripletë. Fitorja më e thellë e javës i takoi Osumit, që shkatërroi Gramozin 7-0, duke e lënë skuadrën kolonjarë në fund të renditjes me vetëm një pikë. Tepelena gjithashtu dhuroi një paraqitje sulmuese, duke triumfuar 6-2 ndaj Lefter Millos, ndërsa Skrapari mposhti Përmetin 4-2 në një takim ku miqtë shpërdoruan dy penallti.
Besa Elite përmbysi Shkumbinin në transfertë, duke fituar 3-1 pas një pjese të parë të mbyllur në disavantazh. Kavajasit ngjiten në kuotën e nëntë pikëve dhe mbeten në kontakt me skuadrat e kreut. Në këtë grup është regjistruar edhe tërheqja e Triumph Kamzës nga kampionati, një zhvillim që shënon një tjetër ndryshim në ecurinë e garës. Turbina dhe Sopoti B kryesojnë, por Skrapari, Besa Elite dhe ndjekësit e tjerë mbeten në garë për t’u afruar me kreun.