E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GREQI – Greva e punonjësve për rritjen e pagave paralizon transportin

GREQI – Greva e punonjësve për rritjen e pagave paralizon transportin

ATHINË, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Punonjësit e sektorit të transportit në të gjithë Greqinë kanë zhvilluar sot një grevë, duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune, përballë rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.

Greva pritet të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në transport. Të prekura janë 15 aeroporte rajonale, ndërsa anulime dhe vonesa priten edhe në transportin publik në Athinë dhe Selanik.

Në disa zona janë pezulluar mësimet në shkolla, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe punonjës të administratës publike. Aksioni është thirrur nga “Adedy”, organizata që përfaqëson punonjësit e sektorit publik në Greqi.

Përfaqësuesit sindikalë kërkojnë rritje të ndjeshme të pagave, më shumë kontrata të përhershme pune, kufizimin e çmimeve të energjisë elektrike dhe karburanteve, si dhe uljen e TVSH-së për produktet e konsumit të përditshëm.

Sipas gazetës greke “Kathimerini”, gjatë ditës janë planifikuar mbi 70 protesta në të gjithë vendin, me tubimet më të mëdha në Athinë dhe Selanik.

Ndërkohë, fluturimet ndërkombëtare nuk pritet të preken nga greva, raportojnë mediat greke. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment