SHBA – FT: Trump lë në heshtje marrëveshjet tregtare me Rusinë si nxitje për fundin e luftës në Ukrainë
ROMË, 25 nëntor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë mënjanë në heshtje propozimet për përdorimin e marrëveshjeve tregtare me Rusinë si një instrument për ta nxitur Moskën t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Sipas një raportimi ekskluziv të gazetës “Financial Times,” vendimi vjen pasi Kremlini ka treguar pak interes për nismat e propozuara nga Uashingtoni në sektorët e energjisë dhe aviacionit.
Përfaqësuesit amerikanë kanë informuar zyrtarët evropianë se bashkëpunimi ekonomik dhe marrëveshjet mes kompanive nuk përbëjnë më një element qendror të strategjisë amerikane ndaj Rusisë.
Në vend të tyre, vëmendja e administratës Trump është përqendruar te çështjet territoriale dhe të sigurisë, të cilat tashmë konsiderohen thelbësore në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.
Sipas raportimit, ky ndryshim tregon një zhvendosje të qasjes amerikane në negociatat me Moskën, pas mungesës së interesit rus për ofertat e bashkëpunimit ekonomik./ /Ad.Ab./ a.jor.