E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët që tentuan të vidhnin vilën e Princit William dhe Kate Middleton në Britani! Detajet e hetimit policor

EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët që tentuan të vidhnin vilën e Princit William dhe Kate Middleton në Britani! Detajet e hetimit policor

Janë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar në Angli, pas incidentit në rezidencën Anmer Hall, që përdoret nga Princi William dhe Princesha Kate Middleton.

Bëhet fjalë për Mirgen Dokun, 34 vjeç, dhe Arilen Ndocin, 32 vjeç.

Sipas policisë së Norfolkut, të dy janë akuzuar për hyrje në një banesë me qëllim vjedhjen, si dhe për shkelje të një zone të mbrojtur. Ata pritet të dalin përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ndërsa vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Të dhënat e bëra publike nga autoritetet britanike tregojnë se Mirgen Doku ka adresë në Courtfield Gardens, në Londër, ndërsa Arilen Ndoci rezulton pa një adresë të përhershme banimi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, kur policia mori një njoftim për aktivitet të dyshimtë në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk. Pas sinjalizimit, në zonë u angazhuan forca të specializuara, qen policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore.

Dy burrat u arrestuan në afërsi të pronës dhe më pas u morën në pyetje. Në momentin e incidentit, asnjë prej anëtarëve të familjes mbretërore nuk ndodhej në rezidencë.

Anmer Hall është një vilë dhjetëdhomëshe në pronën private Sandringham, e cila iu dhurua Princit William dhe Kate Middleton nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Çifti e përdor atë si rezidencë pushimi, ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në Windsor.

Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se procedurat ligjore ndaj dy të akuzuarve janë në zhvillim. Deri në një vendim gjykate, ata prezumohen të pafajshëm.

Lini një koment