Një grua gjendet pa shenja jete në shtëpinë e saj në Leshan të Suharekës
Një grua është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së mërkurës në shtëpinë e saj, në fshatin Leshan të Suharekës, siç njofton RTK. Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 07:00 nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Suharekë, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Në konsultim me prokurorin kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Policia, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, po ndërmerr veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Ngjarjen e raportoi edhe KosovaPress.