“Çfarë jam unë, një valixhe?”, Zelensky refuzon propozimin e Lukashenkos për ta shoqëruar në Moskë
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka propozuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta shoqërojë personalisht në Moskë për negociata me presidentin rus, Vladimir Putin, siç njofton Shqiptarja.com. Sipas propozimit, Lukashenko i ka garantuar Zelenskyt sigurinë gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në kryeqytetin rus.
Zelensky e ka hedhur poshtë ofertën me ironi. “Propozon të më marrë me vete. Çfarë jam unë për të, një valixhe? Të më fusë në një avion dhe të fluturojmë? Kjo nuk është një bisedë serioze”, ka thënë presidenti ukrainas.
Ai ka theksuar se për sa kohë lufta vazhdon, një takim me Putinin nuk mund të zhvillohet as në Moskë e as në Kiev.
Me të njëjtën ironi, Zelensky ka propozuar që Lukashenko ta marrë Putinin dhe të fluturojnë bashkë drejt Kievit, duke garantuar se edhe pala ukrainase do t’ua siguronte mbrojtjen gjatë udhëtimit dhe qëndrimit.
Presidenti ukrainas ka shtuar se kush thotë gjëra të tilla nuk e afron përfundimin e luftës.