Gjykata cakton paraburgim për ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e Arlinda Zekajt dhe dy personat e tjerë
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Rasti lidhet me arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, si dhe dy personave të tjerë.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Nurije Sylaj, Driton Sylaj dhe M.P. e G.B.
Gjykata ka bërë të ditur se ndaj dy të pandehurve, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj paraburgimi është caktuar për shkak të dyshimit për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.
Ndërkaq, dy të pandehurit e tjerë, M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Masa e paraburgimit është caktuar për periudhën 24 nëntor deri më 24 dhjetor 2026. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tij.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Ajo vazhdimisht kishte alarmuar për rrezikun për jetë që i kanosej. Për këtë, edhe i kishte shkruar Prokurorisë, Gjykatës e Policisë.
Rasti i saj ka nxitur reagime të mëdha në gjithë Kosovën. Janë mbajtur disa protesta e po ashtu janë shkarkuar prokurorë e policë që janë marrë me rastin. Për këtë, ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha./Telegrafi/