E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE, rregulla të reja për industrinë e modës, synohet prodhimi i veshjeve më cilësore dhe jetëgjata

BRUKSEL – BE, rregulla të reja për industrinë e modës, synohet prodhimi i veshjeve më cilësore dhe jetëgjata

– Mbi 5 milionë tonë veshje hidhen çdo vit në Bashkimin Evropian, ndërsa vetëm 1% e materialeve të përdorura për prodhimin e rrobave, riciklohen për t’u kthyer në veshje të reja, sipas europa.eu.

Përballë kësaj situate, BE-ja po vendos rregulla të reja për industrinë e tekstileve, me synimin për të ndryshuar mënyrën se si prodhohen, shiten dhe përdoren veshjet.

Sipas strategjisë së Bashkimit Evropian, për tekstile të qëndrueshme dhe ekonominë qarkulluese, deri në vitin 2030 të gjitha produktet tekstile, të tregtuara në tregun evropian, duhet të jenë më jetëgjata, të riparueshme dhe të riciklueshme.

Ato duhet gjithashtu, të përmbajnë në një masë të konsiderueshme fibra të ricikluara, të mos kenë lëndë të rrezikshme dhe të prodhohen duke respektuar standardet mjedisore dhe të drejtat sociale.

Një nga objektivat kryesore është të frenohet modeli i të ashtuquajturës “modë e shpejtë”, që nxit prodhimin dhe blerjen e vazhdueshme të veshjeve me çmime të ulëta, të cilat përdoren për periudha të shkurtra dhe më pas hidhen.

BE-ja synon që konsumatorët të kenë në dispozicion, veshje me cilësi më të mirë, që zgjasin më shumë, si dhe më shumë mundësi për riparimin dhe ripërdorimin e tyre.

Ndryshimet përfshijnë edhe përgjegjësi më të madhe për kompanitë që prodhojnë dhe tregtojnë tekstile.

Sipas rregullave të reja për mbetjet, prodhuesit do të duhet të mbulojnë kostot e grumbullimit, ndarjes dhe riciklimit të tekstileve të hedhura.

Kjo do të thotë se kompanitë do të kenë më shumë përgjegjësi për veshjet, edhe pasi ato të mos përdoren më nga konsumatorët.

Një tjetër masë synon të ndalojë shkatërrimin e veshjeve, këpucëve dhe aksesorëve të pashitur.

Nga 19 korriku 2026, ndalimi zbatohet për kompanitë e mëdha, ndërsa nga viti 2030 do të shtrihet edhe te kompanitë e mesme.

Në vend që t’i asgjësojnë produktet e pashitura, kompanitë duhet të shqyrtojnë mundësi të tjera, si shitja me ulje, dhurimi, ripërdorimi ose riparimi.

Përjashtime do të lejohen vetëm në raste të veçanta, si kur produktet janë të dëmtuara ose paraqesin rrezik për sigurinë.

Sipas Komisionit Evropian, tekstilet përbëjnë një nga fushat me ndikimin më të madh në mjedis dhe klimë, pas ushqimit, banesave dhe transportit.

Strategjia synon të reduktojë mbetjet, të nxisë riciklimin dhe të krijojë një industri të modës më të qëndrueshme, ku veshjet të përdoren për më gjatë dhe të mos përfundojnë kaq shpejt në mbeturina. /

Lini një koment