Gjini reagon pas publikimit të raportit të Qeverisë, duke i bërë disa pyetje i fton qytetarët ta bëjnë vet krahasimin
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të raportit të Qeverisë për të arriturat e saj, duke ftuar qytetarët që ta lexojnë dokumentin dhe ta krahasojnë përmbajtjen e tij me realitetin që kanë përjetuar gjatë viteve të fundit.
Përmes një reagimi, Gjini ka parashtruar një sërë pyetjesh që lidhen me gjendjen ekonomike, koston e jetesës, shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, energjinë, punësimin dhe emigrimin e të rinjve.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të vlerësojnë nëse të ardhurat e tyre sot kanë fuqi më të madhe blerëse, nëse e përballojnë më lehtë koston e jetesës dhe nëse në fund të muajit u mbeten më shumë para.
Gjini ka ngritur gjithashtu çështjen e cilësisë së shërbimeve publike, duke përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, si dhe realizimin e investimeve dhe projekteve të premtuara nga Qeveria.
Një tjetër aspekt që ai ka vënë në pikëpyetje është pozita ndërkombëtare e Kosovës dhe nëse vendi ka shënuar përparim në këtë drejtim.
Sipas Gjinit, vlerësimi i punës së një qeverie nuk duhet të mbështetet vetëm në raportet dhe statistikat zyrtare, por në ndikimin konkret që politikat e saj kanë në jetën e qytetarëve.
Ai ka theksuar rëndësinë e krahasimit të premtimeve me atë që është realizuar, investimeve me rezultatet konkrete dhe statistikave me cilësinë e jetës së qytetarëve.