“Burgu i Fierit qenka kthyer në institucion privat!”- Denoncimi i avokatit Ndreca: Nuk më lejojnë të takoj Veliajn! Drejtori kokëfortë shkel ligjin
Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar sërish sot se nuk është lejuar të takojë në burgun e Fierit kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Ndreca shprehet se ka që prej orës 16:50 që pret jashtë ambienteve të burgut, ndërsa nuk lejohet të hyjë në kundërshtim me ligjin.
Ai thotë se burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat i drejtorit aktual.
Postimi i plotë i Ndrecës:
“Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.
Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.
Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.
Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.
I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë”.
