E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Rutte vlerëson Trump për përpjekjet për ta bindur Putinin të negociojë

SHBA – Rutte vlerëson Trump për përpjekjet për ta bindur Putinin të negociojë

UASHINGTON, 25 nëntor /ATSH-/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka mbrojtur qasjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se kreu i Shtëpisë së Bardhë po e vë në provë gatishmërinë e Moskës për negociata.

Përpara takimit me Trump në sot rezidencën e tij Mar-a-Lago, në Florida, Rutte tha për televizionin amerikan “Fox News”, se Trump po teston Putinin, përfshirë edhe gjatë takimit të tyre në Shenzhen të Kinës, javën e kaluar.

Sipas Rutte, Trump po kërkon të kuptojë nëse Putini është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave dhe të angazhohet realisht në bisedime.

Ai theksoi se presioni ndaj presidentit rus duhet të vijojë, duke shtuar se kjo qasje po jep rezultate.

Marrëdhëniet e Trump me Putinin janë kritikuar shpesh.

Administrata amerikane, në vend që ta pozicionojë SHBA-në si mbështetëse të Ukrainës, e sheh vendin kryesisht si ndërmjetës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia.

Presidenti amerikan është kritikuar gjithashtu për marrëdhëniet e tij të afërta me kreun e Kremlinit.

Së fundmi, ai u kritikua pasi gjatë vizitës në Kinë iu referua Putinit si një “mik”.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kritikuar atë që e konsideron si mungesë të presionit amerikan ndaj Moskës.

“Nëse flisni për Putinin sikur të ishte një mik, sigurisht që ai nuk ndihet si një vrasës. Ai nuk ndien presion të mjaftueshëm”, deklaroi Zelensky pak ditë më parë për televizionin amerikan CNN. /

Lini një koment