E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Von der Leyen: Ballkanit Perëndimor duam t’i japim qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Von der Leyen: Ballkanit Perëndimor duam t’i japim qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media pas samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 25.11.2026 në Bruksel.

Në këtë samit, Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri, Albin Kurti, ndërsa nga Serbia nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues.

Von der Leyen ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian edhe para anëtarësimit të tyre në BE.

Ajo e ka cilësuar zgjerimin si një “imperativ strategjik” për Evropën, duke thënë se aktualisht ekziston një momentum real për avancimin e procesit të integrimit.

“Ne duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët përpara anëtarësimit” – ka thënë von der Leyen në konferencë për media.

Ajo ka shtuar se BE-ja po hap sektorë të caktuar për vendet e rajonit, ndërsa ato zbatojnë reforma për krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

Sipas saj, ky proces shoqërohet edhe me financime nga Bashkimi Evropian, ndërsa qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po i përjetojnë disa nga përfitimet para anëtarësimit.

Von der Leyen ka bërë të ditur se katër partnerë të rajonit tashmë janë pjesë e SEPA-s, e cila mundëson transfere bankare më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Ajo ka përmendur edhe progresin në zgjerimin e marrëveshjes së roamingut, duke bërë të ditur se negociatat kanë nisur me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Presidentja e Komisionit Evropian ka njoftuar se në fillim të vitit të ardhshëm BE-ja planifikon të nisë dialogë për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim identifikimin e mundësive të reja për përfshirjen e tyre në tregun e përbashkët evropian.

Von der Leyen ka folur edhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit është rritur nga 38 për qind një vit më parë në 63 për qind këtë vit.

Ajo ka bërë të ditur se reformat mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.

Krahas afrimit me Bashkimin Evropian, von der Leyen ka theksuar rëndësinë e afrimit ekonomik ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë me njëri-tjetrin” – ka deklaruar ajo, duke përmendur rritjen e tregtisë rajonale, njohjen e kualifikimeve, roamingun rajonal dhe “korsitë e gjelbra” për lehtësimin e tregtisë.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se samiti i së mërkurës ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Costa ka vlerësuar se shpeshtësia e takimeve pasqyron intensitetin e angazhimit politik të BE-së në rajon.

“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar” – ka thënë Costa.

Ai ka shtuar se gjatë samitit është bërë një bilanc i të arriturave që nga takimi i mëparshëm në Tivat dhe është diskutuar për avancimin e integrimit gradual të vendeve të rajonit në BE.

Sipas Costas, progresi i Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është iluzion, por një mundësi reale për vendet që angazhohen në këtë proces.

“Këtë vit, ne filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh. Shqipëria gjithashtu ka filluar t’i mbyllë kapitujt e negociatave” – ka deklaruar ai.

Costa ka theksuar se të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë përparim në rrugën drejt anëtarësimit, nëse angazhohen për zbatimin e reformave.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se procesi i integrimit nuk varet vetëm nga reformat, por edhe nga bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe” – ka thënë Costa.

Ai ka bërë thirrje që vendet e rajonit të tejkalojnë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të përqendrohen në të ardhmen.

“Sfidat e rrënjosura në të kaluarën duhet të kapërcehen dhe duhet të shohim përpara e jo prapa” – ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian.

Në fund, Costa ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se ato mund të llogarisin në BE si partner të qëndrueshëm.

“Vetë Bashkimi Evropian është një dëshmi e kësaj qasjeje. Ai u ndërtua mbi pajtimin dhe paqen, dhe zgjerimi ka qenë thelbësor për avancimin e këtyre qëllimeve. Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten te Bashkimi Evropian. Ne jemi partneri juaj më i palëkundur dhe do të mbetemi të tillë” – ka thënë Costa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pritjen që gjatë muajit dhjetor të bëhet një hap konkret drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti ka kërkuar që Këshilli Evropian t’i drejtohet fillimisht Komisionit Evropian për të kërkuar një opinion për Kosovën, duke e cilësuar statusin e kandidatit si një çështje që është vonuar prej kohësh.

“Në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet që kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Unë personalisht e kam dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në Pragë të Republikës Çeke, gjatë presidencës së saj”- ka thënë Kurti për media më 25.11.2026.

Ai ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.

“Ne jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Thjesht po kërkojmë vlerësimin dhe njohjen e progresit të Kosovës në aspektin e avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive qytetare”- ka deklaruar Kurti.

Ai ka shpjeguar se për të avancuar drejt këtij procesi, fillimisht nevojitet që Këshilli Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian një opinion për Kosovën.

“Ne nuk mund ta marrim përgjigjen e Komisionit Evropian pa e bërë fillimisht këtë kërkesë Këshilli Evropian”- ka deklaruar Kurti, duke shprehur shpresën që një gjë e tillë të ndodhë në takimin e Këshillit Evropian të 14 dhe 15 dhjetorit.

Lini një koment