FUTBOLL – Gjashtë vite pa Maradonën, futbolli përkujton legjendën
BUENOS AIRES, 25 nëntor /ATSH – ANSA/ – Argjentina dhe bota e sportit përkujtojnë sot gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta të Diego Armando Maradonës, një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit botëror.
Vdekja e tij, më 25 nëntor 2020, shkaktoi një valë zie në të gjithë vendin dhe tronditi miliona tifozë në mbarë botën.
Një nga homazhet më të ndjera erdhi nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA), e cila përmes një mesazhi në rrjetet sociale nderoi kujtimin e ish-kapitenit të kombëtares, duke theksuar se ai i çoi ngjyrat e Argjentinës në majat më të larta dhe la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit.
“Ka futbollistë që ndërtojnë karriera të mëdha dhe të tjerë që, si Diego, bëhen pjesë e identitetit të një kombi”, thuhet në mesazhin e federatës.
Edhe klubi i Boca Juniors, skuadra për të cilën Maradona ishte tifoz, publikoi një dedikim emocionues, duke kujtuar lidhjen e tij të veçantë me klubin dhe tifozët.
“Në çdo triumf, në çdo lutje, në tatuazhe dhe në flamuj: gjithmonë i pranishëm në zemrat e ‘bosteros’. Na mungon, Pelu”, shkroi klubi në rrjetet sociale, duke shoqëruar mesazhin me fotografi të flamujve, tatuazheve dhe muraleve kushtuar legjendës argjentinase.
Një tjetër homazh emocionues erdhi nga komentatori i njohur sportiv Víctor Hugo Morales, i cili është bërë i famshëm për transmetimin e golit të dytë të Maradonës kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986, me një rrëfim që mbetet ndër më të paharrueshmit në historinë e futbollit.
“Diego bëhet gjithnjë e më i madh, ditë pas dite. Zërat e kritikëve të tij nuk dëgjohen më. Gjithçka është zbehur. Ai ka fituar dashurinë e njerëzve dhe mirënjohja e argjentinasve ndaj tij sot është e jashtëzakonshme”, deklaroi Morales në programin e tij në Radio Am750.
Ndërsa vendi përkujton figurën e Maradonës, drejtësia argjentinase ka caktuar datën 22 dhjetor për shpalljen e vendimit ndaj shtatë anëtarëve të ekipit mjekësor që e trajtonin futbollistin deri në ditën e vdekjes.
Ata akuzohen për vrasje me dashje, ndërsa procesi gjyqësor pritet të përcaktojë përgjegjësitë për vdekjen e tij.