E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Moti ekstrem godet Floridën, përmbytje masive dhe alarm për tornado

SHBA – Moti ekstrem godet Floridën, përmbytje masive dhe alarm për tornado

– Kushtet ekstreme të motit kanë shkaktuar përmbytje të reja në Florida të SHBA-së, ku reshjet e dendura të shiut, stuhitë e forta dhe baticat e larta kanë vështirësuar situatën, veçanërisht në pjesën jugore të shtetit, sipas AP.

Sipas autoriteteve meteorologjike, reshjet kanë përfshirë zonën, që nga mbrëmja e djeshme dhe kanë vijuar gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar përmbytje në disa komunitete, që ende po përpiqeshin të rikuperoheshin nga përmbytjet e javës së kaluar.

Në disa zona të Floridës së Jugut priten 5 deri në 10 centimetra reshje shiu, ndërsa në zona të izoluara sasia mund të arrijë në 13 deri në 18 centimetra.

Qarku “Palm Beach” është ndër zonat më të prekura, ndërsa në Miami-Dade dhe Broward janë raportuar probleme me qarkullimin rrugor dhe grumbullime të mëdha uji.

Situata është rënduar edhe nga baticat e larta, të cilat kanë rritur rrezikun e përmbytjeve në zonat bregdetare.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar gjithashtu, për mundësinë e stuhive të fuqishme, erërave shkatërruese dhe tornadove të izoluara.

Në disa prej stuhive më të forta, shpejtësia e erës mund të kalojë 96 kilometra në orë.

Në qytetin Hollivud, në qarkun Broward, banorët janë përballur sërish me përmbytjen e banesave, vetëm pak ditë pasi kishin nisur pastrimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e mëparshme.

Pamjet nga zona treguan rrugë të mbuluara nga uji dhe banorë që nxirrnin mobiljet dhe sendet personale nga shtëpitë e dëmtuara.

Situata ka ndikuar edhe në transportin ajror dhe rrugor, në një periudhë kur miliona amerikanë po udhëtojnë për Festën e Falënderimeve.

Aeroportet ndërkombëtare të Miamit dhe Fort Lauderdale kanë këshilluar pasagjerët të kontrollojnë statusin e fluturimeve, për shkak të mundësisë së vonesave dhe anulimeve.

Ndërkohë, autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar se reshjet mund të vijojnë edhe në pjesë të tjera të Floridës, ndërsa zonat pranë lumenjve mbeten të rrezikuara nga rritja e nivelit të ujit.

Sipas parashikimeve, moti pritet të përmirësohet gradualisht gjatë së enjtes, ndërsa ajri më i freskët dhe më i thatë do të sjellë kushte më të qëndrueshme në ditët në vijim.

Florida është përballur me një periudhë të pazakontë reshjesh dhe përmbytjesh gjatë nëntorit, me disa zona që kanë regjistruar sasi rekord të reshjeve për këtë muaj. /

Lini një koment