Ekstradohet nga Belgjika në Kosovë një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar
Një shtetas i Kosovës, me inicialet B.B., është ekstraduar të mërkurën nga Belgjika në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, njofton KosovaPress, duke iu referuar njoftimit të Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, i dyshuari kërkohej për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”. Ekstradimin e realizoi Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të policisë në Gjakovë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës thekson se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin e kapjen e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.