E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Gjykatësi i dytë bllokon urdhrin e ri të Trump-it për kufizimin e shtetësisë nga lindja

Gjykatësi i dytë bllokon urdhrin e ri të Trump-it për kufizimin e shtetësisë nga lindja

Një gjykatës i dytë federal amerikan bllokoi të mërkurën zbatimin e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump që kufizon numrin e personave me të drejtë shtetësie nga lindja, siç njofton Reuters. Trump e nënshkroi urdhrin e ri pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë përpjekjen e tij të parë për të kufizuar shtetësinë nga lindja.

Gjykatësi distriktual Christopher Cooper në Uashington lëshoi një urdhër paraprak (preliminary injunction) në një padi kolektive në emër të fëmijëve që do t’u mohohej shtetësia sipas urdhrit ekzekutiv të gushtit. Urdhri i tij u ndalon Departamentit të Shtetit, Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Administratës së Sigurimeve Shoqërore ta zbatojnë urdhrin e Trump-it ndaj fëmijëve të mbuluar nga padia kolektive.

Cooper tha se "Meritat në këtë çështje janë të qarta", duke theksuar se Gjykata Supreme ka konfirmuar dy herë se të gjithë fëmijët e lindur në SHBA janë qytetarë amerikanë, përveç një numri të vogël që nuk i nënshtrohen ligjit amerikan, dhe se presidenti nuk mund të krijojë përjashtime të reja nga shtetësia nga lindja.

Vendimi vjen pasi një gjykatëse tjetër federale në Maryland, Boardman, e bllokoi urdhrin edhe në shtator, çka do të thotë se administrata duhet t’i rrëzojë të dy vendimet për ta zbatuar ndonjëherë urdhrin. Urdhri i ri i Trump-it synonte "turizmin e lindjes", fëmijët e punonjësve të qeverive të huaja apo organizatave ndërkombëtare pa imunitet diplomatik dhe fëmijët me një prind të klasifikuar si "armik i huaj".

Avokati i ACLU-së Cody Wofsy tha se Trump "duhet të pranojë se shtetësia nga lindja është ligj i vendit", ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Lauren Bis e quajti vendimin "një tjetër vendim nga një gjykatës aktivist i emëruar nga Obama".

Vendimi i qershorit i Gjykatës Supreme konstatoi se urdhri i parë i Trump-it shkeli klauzolën e shtetësisë të Amendamentit të 14-të dhe mbështeti precedentit United States v. Wong Kim Ark të vitit 1898.

Lini një koment