E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Dyte›“Kampionati i gjatë”, Zaimaj: Lushnja nis kthesën këtë javë, ja çfarë duhet

“Kampionati i gjatë”, Zaimaj: Lushnja nis kthesën këtë javë, ja çfarë duhet

Mungesa e rezultateve në kampionat, veçanërisht në ndeshjet në shtëpi, ka krijuar një situatë të vështirë te Lushnja. Verdhejeshilët nuk kanë arritur të fitojnë në tri ndeshjet e fundit në fushën e tyre, ndërsa dënimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës ndaj fushës dhe stafit teknik kanë shtuar edhe më shumë tensionin.

Presioni nga opinioni sportiv vendas është rritur ndjeshëm, pasi tifozët kërkojnë një reagim të menjëhershëm dhe rikthimin e skuadrës në garën për objektivat sezonalë. Megjithatë, brenda grupit nuk ka dorëzim. Futbollistët dhe stafi teknik e konsiderojnë këtë periudhë një krizë kalimtare dhe besojnë se kthesa mund të nisë që këtë javë. Këtë e ka konfirmuar edhe mesfushori Iriglen Zaimaj, i cili pas seancës stërvitore të së martës, për “Panorama Sport” ka theksuar se skuadra është e bashkuar dhe e vendosur për të rikthyer fitoren. Sipas tij, në këto momente Lushnjës i nevojiten qetësi, besim dhe mbështetje, ndërsa përgjegjësia për të ndryshuar situatën është e të gjithëve.

IRIGLEN ZAIMAJ

“Të gjithë si skuadër, së bashku me stafin teknik, jemi të bashkuar në këtë moment krize rezultatesh që po kalon Lushnja. E konsiderojmë një periudhë kalimtare, nga e cila do të dalim të gjithë së bashku. Jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë dhe detyrimin që kemi për t’u rikthyer sa më shpejt në garë si skuadër pretendente. I njohim mundësitë tona dhe kemi forcën e duhur për të kapërcyer vështirësitë me të cilat po përballemi. Keqardhjen e kemi të gjithë shumë të madhe, sepse luajmë bukur dhe i imponojmë lojën kundërshtarit në çdo takim, por mungesa e golave është kthyer në një problem që duhet ta përmirësojmë urgjentisht.

Sa i përket presionit me të cilin po përballemi, mendoj se deri diku është i ligjshëm, duke parë mungesën e rezultateve. Megjithatë, në këto momente, si skuadër kemi nevojë për qetësi, besim dhe mbështetje. Pas analizës së fundit që kemi zhvilluar, të gjithë së bashku kemi marrë një angazhim, të cilin duam ta kthejmë në realitet. Këtë javë Lushnja do të nisë kthesën dhe do të rikthehet te fitorja. Të gjithë do të japim maksimumin në fushë për të realizuar këtë objektiv.

Kampionati është i gjatë dhe mbetet plotësisht i hapur. Në grupin tonë mund të ndodhë gjithçka, pasi nuk ka skuadra të vogla apo inferiore. Edhe gabimet e rivalëve tanë janë një tregues se gara është e hapur dhe ne duhet të përfitojmë nga çdo mundësi. Ndihemi të fortë dhe kjo na motivon të besojmë te kthesa që të gjithë presin nga Lushnja”, ka përfunduar mesfushori shijakas, 24-vjeçari Iriglen Zaimaj.

Lini një koment