E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Dyte›“Nuk ishte dita e Tomorit”, trajneri Klodian Arbëri: Tani sytë nga… Memaliaj

“Nuk ishte dita e Tomorit”, trajneri Klodian Arbëri: Tani sytë nga… Memaliaj

Humbja në Sarandë ndaj Butrintit është lënë pas nga Tomori, që tashmë ka kthyer vëmendjen te sfida e radhës me Memaliajn. Beratasit synojnë të reagojnë menjëherë dhe të rikthehen te fitorja, në mënyrë që të vijojnë garën për një vend mes pesë skuadrave të para të grupit. Përveç rezultatit negativ, shqetësim për stafin teknik mbeten edhe kartonët e panevojshëm, të cilët po përsëriten nga java në javë.

Në Sarandë u ndëshkua me karton të kuq edhe qendërmbrojtësi Basha, i cili do të mungojë në ndeshjen e ardhshme. Megjithatë, trajneri Klodian Arbëri beson se skuadra do ta përballojë këtë mungesë dhe do të jetë e gatshme për të marrë tri pikët. Duke analizuar humbjen me Butrintin, tekniku beratas ka pranuar se kundërshtari e meritoi fitoren, por thekson se Tomori nuk zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira.

“Çdo humbje është e hidhur për një trajner, për skuadrën dhe për mbështetësit tanë. Megjithatë, duhet ta pranojmë me profesionalizëm. Në Sarandë përballë kishim një kundërshtar të të njëjtit nivel, por konstatoj se Butrinti nuk është më skuadra e sezonit të kaluar. Na mundi sepse thjesht nuk ishte dita jonë. Edhe gjykimi ishte objektiv dhe, kur në futboll diferencat përcaktohen nga gabimet, siç ndodhi në rastin tonë, humbja bëhet e pashmangshme.

Më vjen keq për një aspekt që ia kam bërë të qartë edhe skuadrës pas ndeshjes. Po ndëshkohemi me kartonë në mënyrë të panevojshme dhe, kur gabime të tilla vijnë nga futbollistë me eksperiencë, kjo është e pafalshme. Tashmë duhet ta harrojmë këtë humbje dhe të përgatitemi për ndeshjen me Memaliajn. Luajmë në shtëpi dhe kemi vetëm një objektiv: fitoren.

Përveçse do të na shërbente si një kthesë në paraqitjet tona, ajo do të na mbante në garë për pesë vendet e para. Ne besojmë se Tomori e meriton këtë objektiv dhe do të bëjmë gjithçka deri në fund të kampionatit”, përfundoi trajneri Klodian Arbëri.

Lini një koment