E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›13 komuna të Kosovës përfitojnë autoambulanca të reja nga Ministria e Shëndetësisë

13 komuna të Kosovës përfitojnë autoambulanca të reja nga Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 13 autoambulanca të reja, të cilat do t’u dedikohen Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në po aq komuna të Kosovës.

Autoambulancat janë ndarë për komunat: Dragash, Leposaviq, Hani i Elezit, Novobërdë, Viti, Zubin Potok, Istog, Obiliq, Podujevë, Partesh, Suharekë, Klinë dhe Lipjan.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se autoambulancat kanë mbërritur dhe së shpejti do të shpërndahen nëpër komuna.

Sipas tij, secila prej tyre është e pajisur me pajisjet e nevojshme për mbështetjen bazike të jetës (BLS), duke mundësuar ndërhyrjen në vendngjarje dhe vazhdimin e kujdesit ndaj pacientëve gjatë transportit drejt spitalit.

“Forcimi dhe modernizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat tona është jetik për reagim të shpejtë dhe shërbime cilësore shëndetësore”, ka shkruar Vitia.

Ai ka theksuar se përmes pajisjeve moderne dhe rritjes së kapaciteteve synohet të ofrohen shërbime emergjente më të shpejta, më të sigurta dhe më cilësore për qytetarët. /Telegrafi/

Lini një koment