Arbitri i dehur në ndeshjen e Kristjan Asllanit në Champions-in aziatik, ndërrohet në pushim!
Absurde në sfidën mes Al Jazira-Gol Gohar, ku “bilbili” sirian Hanna Hattab u shfaq krejtësisht i çorientuar dhe u zëvendësua nga arbitri i 4-t.
Një episod surreal është shënuar në ndeshjen e AFC Champions League Two mes Al Jazira të Kristjan Asllanit dhe iranianëve të Gol Gohar, ku arbitri sirian Hanna Hattab është zëvendësuar në pushim nga arbitri i 4-t Ammar Abu Alou, pasi u pa të sillej në mënyrë qartësisht konfuze.
Rreth minutës së 32-të, pas një faulli në mesfushë ndaj Ali Asghar Ashouri, arbitri me shikimin e përhumbur dha një karton të verdhë për portierin e Al Jazira, Ersin Destanoglu, i cili nuk kishte asnjë lidhje me aksionin.
Kartoni u anulua pas disa minutash me lojë të ndaluar dhe një bisede me asistentët. Në pushim arbitri u zëvendësua, pasi klubi iranian kërcënoi se nuk do ta vazhdonte ndeshjen, duke denoncuar faktin se arbitri “nuk ishte në gjendje normale”. Nga klubi iranian pretendohet se arbitri ishte parë të pinte alkool para fillimit të ndeshjes.
Kristjan Asllani, lojtari i Kombëtares shqiptare, u aktivizua në minutën e 75-të të kësaj ndeshjeje, kështu që nuk pati probleme me arbitrin e dehur. Skuadra e tij fitoi 1-0.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.