E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Musk premton dy aksione të “SpaceX” për çdo fëmijë

SHBA – Musk premton dy aksione të “SpaceX” për çdo fëmijë

UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH-AFP/ – Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi se do t’i dhurojë çdo fëmije në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga dy aksione të kompanisë së tij hapësinore “SpaceX”, duke dyfishuar premtimin e bërë muajin e kaluar.

“Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë dy aksione të ‘SpaceX’, një nga kompania dhe një nga unë personalisht”, shkroi Musk në platformën X.

Sipas njoftimit të tij, aksioni i parë do të transferohet muajin e ardhshëm, ndërsa i dyti, që do të financohet personalisht nga Musk, në qershor të vitit 2027.

Miliarderi nuk dha detaje të mëtejshme se si do të zbatohet kjo skemë dhe cilët do të jenë përfituesit konkretë.

Musk këshilloi fëmijët që t’i mbajnë aksionet, duke pretenduar se në të ardhmen vlera e “SpaceX” mund të rritet jashtëzakonisht shumë, nëse kompania arrin objektivat e saj për zgjerimin e jetës njerëzore përtej Tokës dhe shfrytëzimin e energjisë diellore.

Sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të SHBA-së për vitin 2024, në vend jetojnë rreth 73 milionë persona nën moshën 18 vjeç.

Me çmimin e mbylljes sot prej 127, 44 dollarësh për aksion, vlera e përgjithshme e dy aksioneve për çdo fëmijë do të arrinte rreth 18,6 miliardë dollarë.

“SpaceX” doli në bursë në qershor, duke siguruar rreth 85,7 miliardë dollarë.

Ndërkohë, raketa gjigante “Starship” e kompanisë arriti për herë të parë orbitën në shtator, një moment i rëndësishëm për projektin e Musk për kolonizimin e planetit Mars./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment