E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Moti i keq anulon qindra fluturime në Ditën e Falënderimeve

SHBA – Moti i keq anulon qindra fluturime në Ditën e Falënderimeve

UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH-ANSA/ – Dy stuhi të fuqishme që kanë përfshirë të dyja brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shkaktojnë kaos në transportin ajror dhe po vështirësojnë udhëtimet gjatë festimeve të Ditës së Falënderimeve.

Sipas CNN, qindra fluturime janë anuluar që në orët e mëngjesit të sotëm.

Një ditë më parë, mbi 6 000 fluturime kishin pësuar vonesa, ndërsa afro 150 ishin anuluar.

Vonesat kanë vijuar edhe në aeroportin e Majamit, pas daljes nga pista të një avioni transportues mallrash.

Në bregun lindor të SHBA-së, niveli i ujit mund të arrijë vlerat më të larta që nga viti 2012, kur vendin e goditi superstuhia “Sandy”.

Verilindja dhe rajoni i Atlantikut të Mesëm përballen gjithashtu me rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erërave të forta.

Për herë të parë në historinë e saj, parada e 100-të e “Macy’s” për Ditën e Falënderimeve është shtyrë për shkak të parashikimeve për reshje shiu dhe erëra të fuqishme.

Ndërkohë, në bregun perëndimor, një stuhi ka përfshirë veriperëndimin e Paqësorit, duke shkaktuar batica jashtëzakonisht të larta. Në San Diego janë thyer rekorde, ndërsa dallgët e fuqishme kanë shembur një pjesë të një moli pranë San Franciskos./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment