Shpërthim dhe zjarr në një rafineri nafte në Bangkok, të paktën nëntë të plagosur
Një shpërthim dhe një zjarr i madh në një rafineri të rëndësishme nafte në Bangkok plagosën të paktën nëntë persona të enjten dhe detyruan banorët e zonës përreth të evakuohen përkohësisht, njoftuan autoritetet tajlandeze, siç raporton Associated Press.
Sipas Qendrës Mjekësore Erawan në Bangkok, shumica e të plagosurve kanë pësuar djegie dhe tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin tym të zi e të dendur që ngrihej mbi rafinerinë në një lagje lindore të kryeqytetit.
Incidenti ndodhi rreth orës 15:00 me orën lokale. Autoritetet e qytetit njoftuan në më pak se një orë se zjarri ishte shuar, ndërsa banorët e evakuuar u lejuan të kthehen në shtëpi, me këshillën që ata që jetojnë në një rreze prej 5 kilometrash të tregohen të kujdesshëm për ndotjen e ajrit. Departamenti i Kontrollit të Ndotjes dërgoi ekipe për të vlerësuar cilësinë e ajrit dhe të ujit në zonë.
Kompania Bangchak Corp., pronare e rafinerisë dhe e depozitave, konfirmoi zjarrin dhe tha se shkaku është ende nën hetim, ndërsa ka ndaluar të gjitha operacionet e prodhimit. Ministri i Energjisë, Akanat Promphan, tha se zjarri duket se nisi në një nga njësitë e rafinerisë, rreth 100 metra larg depozitave të naftës, dhe se operacionet nuk do të rifillojnë pa u siguruar plotësisht se depozitat janë të sigurta.
Rafineria, me kapacitet 120 mijë fuçi në ditë, është e pesta më e madhe në Tajlandë dhe e vetmja e vendosur në një zonë urbane. Ministri theksoi se furnizimi me naftë i vendit nuk pritet të preket, pasi në Tajlandë funksionojnë pesë rafineri të tjera.