Dështon përzgjedhja e anëtarëve shqiptarë të Bordit të RTK-së, zgjidhen dy të tjerët nga komunitetet
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarë të rinj të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteteve jo shumicë, ndërsa ka dështuar të zgjedh anëtarët shqiptarë të Bordit të RTK-së.
Procesi për dy anëtarët shqiptarë do të nisë nga e para, me shpalljen e një thirrjeje të re publike.
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Ana Kostiçin anëtare të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb me mandat dyvjeçar dhe Aldin Shabanin nga komunitetet e tjera joshumicë me mandat dyvjeçar.
Gjatë seancës, kryetarja e Kuvendit bëri të ditur emrat e kandidatëve të propozuar për anëtarë të bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Sipas raportit të Komisionit Zgjedhor, në votim morën pjesë 96 deputetë.
Ana Kostiç mori 52 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Tamara Jorgiq, mori 30 vota. Në garën për përfaqësuesin nga komunitetet e tjera joshumicë, Aldin Shabani mori 70 vota, ndërsa Zylejha Mustafa mori 16 vota.
Për këtë proces, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se kuvendi votoi për Komisionin Zgjedhor.
“Me 72 vota. 73 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Konstatoj se Kuvendi votoi komisionin ad hoc. Komisionin zgjedhor” tha Haxhiu.
Rezultatet e votimit i bëri të ditura deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi.
“Gjithsej kanë votuar 96 deputetë, ndërsa të pavlefshme janë 9 fletëvotime. Ana Kostiç, nga komuniteti serb, ka fituar 52 vota, ndërsa Tamara 13 vota. Ndërkohë, kandidatja e propozuar nga komunitetet joshumicë, Zyleha Ustaibo Mecihan, ka fituar 16 vota, ndërsa Aldin Shabani ka marrë 10 vota”, tha Azemi. /KP/