“Tallava patriotike në Kuvend”, Haradinaj: Pushteti i përjashtoi veteranët nga paga minimale, ndërsa sot shfaqi videon e UÇK-së
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kritikuar pushtetin për, siç tha, mospërputhje mes deklarimeve patriotike dhe veprimeve ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas shfaqjes në Kuvend të videos së daljes publike të UÇK-së, Haradinaj tha se të njëjtit që shfaqin këtë video, së bashku me Listën Serbe, i kanë përjashtuar veteranët nga përfitimi i pagës minimale.
Ai i ka cilësuar këto veprime si mashtrim dhe ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike.
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava, patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale. Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon, e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim. Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, deklaroi Haradinaj, raporton kp.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikthyer në vëmendje sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e saj në rrugën drejt lirisë, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Haxhiu në adresimin e saj në Kuvend, tha se Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila shënohet më 27 nëntor, lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e UÇK-së dhe sakrificën e dëshmorëve.