“Anëtarësim në BE brenda vitit 2030”- Balla: Synojmë mbylljen e negociatave deri në Krishtlindjet e 2027 dhe nënshkrimin e Traktatit më 2028
Bashkëkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Taulant Balla, deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një objektiv mbarëkombëtar, që tejkalon dallimet politike dhe kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve dhe aktorëve të shoqërisë shqiptare.
Duke folur në hapje të mbledhjes së posaçme të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, me praninë e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, Balla theksoi se Shqipëria është fuqimisht e angazhuar në rrugën e anëtarësimit.
“Ky nuk është objektivi vetëm i qeverisë, nuk është as objektivi vetëm i shumicës parlamentare. Është objektivi ynë mbarëkombëtar, objektivi që përshkon programet e forcave politike, angazhimin e institucioneve dhe aspiratën e qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të vendit”, u shpreh Balla.
Duke u ndalur te rëndësia e konsensusit politik, Balla nënvizoi nevojën për bashkëpunim në kuadër të ndryshimeve zgjedhore, në funksion të zgjedhjeve të 9 majit 2027, në Ditën e Evropës.
“Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është produkt i konsensusit politik. Edhe përmirësimet e mëtejshme të tij duhet të udhëhiqen nga e njëjta qasje, duke adresuar rekomandimet ndërkombëtare, duke garantuar gjithëpërfshirjen dhe duke konsoliduar një sistem zgjedhor me besueshmëri evropiane”, theksoi Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste përshëndeti Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026, duke theksuar se rekomandimet e tij përbëjnë dokumentin e punës së Kuvendit dhe duhet të përkthehen në rezultate konkrete legjislative, përmirësim të funksionimit të institucioneve dhe ndryshime të prekshme për qytetarët dhe bizneset.
Balla vlerësoi gjithashtu Udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për negociatat gjatë vitit 2027, duke e cilësuar atë ambicioz, por realist.
“Për herë të parë kemi një bosht kaq të qartë të rrugës drejt përmbylljes së negociatave, me një perspektivë konkrete kohore. Ne jemi të vendosur që objektivin e përmbylljes së negociatave brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 ta mbështesim me punë të përditshme, me përgjegjshmëri institucionale dhe me rezultate të matshme”, deklaroi Balla.
Ai shprehu vlerësimin për lidershipin e Komisioneres Marta Kos në drejtimin e politikës së zgjerimit dhe për besimin e saj në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, ndërsa kërkoi më shumë mbështetje edhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
“E meqenëse jemi në Tiranë, dua të them dhe ju lutem edhe për më shumë mbështetje për ecjen përpara me perspektivën evropiane të Kosovës”, u shpreh Balla.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se integrimi evropian duhet të jetë një proces i të gjithë shoqërisë shqiptare, duke evidentuar rolin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian si hapësirë e dialogut ndërpartiak dhe shoqëror, ku përfshihen sipërmarrja, universitetet, sindikatat dhe shoqëria civile.
Sipas tij, suksesi i integrimit evropian nuk duhet të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por me rritjen reale të standardeve të jetesës dhe të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Balla nënvizoi gjithashtu rëndësinë e intensifikimit të diplomacisë parlamentare, dialogut me familjet politike evropiane dhe bashkëpunimit me parlamentet e vendeve anëtare, në funksion të forcimit të mbështetjes politike për anëtarësimin e Shqipërisë.
“Përmbyllja e negociatave në vitin 2027, nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2028 dhe Shqipëria anëtare e Bashkimit Evropian brenda vitit 2030 përbëjnë horizontin tonë të përbashkët politik dhe institucional”, deklaroi Balla.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Balla theksoi se Shqipëria ka sot mundësinë historike për ta shndërruar në realitet aspiratën evropiane të brezave të shqiptarëve.
“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj evropiane prej kohësh. Sot kemi mundësinë historike që aspiratën evropiane të brezave të shqiptarëve ta shndërrojmë në realitet. Dhe kjo është një përgjegjësi që na takon të gjithëve. Koha është tani!”, përfundoi Balla.