Sfidat e Sigurisë, ministri Nufi: Shqipëria dhe Kosova të forcojnë bashkëpunimin kibernetik, siguria pjesë e sovranitetit kombëtar!
Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike, përmes shkëmbimit të informacionit, ushtrimeve të përbashkëta dhe koordinimit më të ngushtë institucional.
Kjo ishte thirrja e ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë konferencës “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”, të zhvilluar në Tiranë.
Nufi theksoi se siguria e informacionit është pjesë e pandashme e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, ndërsa mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe sistemeve digjitale është një domosdoshmëri për funksionimin e institucioneve.
“Një sulm ndaj sistemeve të informacionit, një cenim i infrastrukturës kritike apo një rrjedhje e informacionit të klasifikuar mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionalitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve”, deklaroi ministri.
Duke u ndalur te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, Nufi vuri në dukje se teknologjitë e reja po ndryshojnë natyrën e kërcënimeve, duke krijuar mundësi për sulme më komplekse, manipulim të informacionit dhe shfrytëzim të dobësive në sistemet digjitale.
Një vëmendje të veçantë ministri i kushtoi partneritetit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri strategjike përballë kërcënimeve kibernetike.
“Ne duhet të jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë në një nivel më konkret dhe më ambicioz!”, u shpreh Nufi.
Ai propozoi krijimin e një agjende të përbashkët me objektiva të matshme, forcimin e konsultimeve ndërinstitucionale, zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta kibernetike, shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe programeve të përbashkëta akademike e profesionale.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se sfidat e reja të sigurisë nuk mund të përballohen nga një shtet apo institucion i vetëm.