Barazimet pengesë në Kategorinë e Parë, pretendentët për fitore kundër klubit që ndryshoi trajnerin
Bylisi e mbylli fazën e parë të kampionatit me një barazim 2-2 në Vlorë, duke ruajtur statusin e skuadrës së pamposhtur në 11 ndeshjet e luajtura. Mallakastriotët zhvilluan një ndeshje delikate në transfertë ndaj një prej rivalëve më të fortë, por arritën të merrnin një rezultat pozitiv dhe me pak kujdes edhe mund të merrnin tri pikët.
Ky barazim i dha skuadrës më shumë siguri, ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar te faza e dytë. Futbollistët e Bylisit janë rikthyer në stërvitje që të martën, duke nisur përgatitjet për transfertën e radhës ndaj Sopotit në Librazhd. Objektivi është i qartë, rikthimi te fitorja dhe nisja e fazës së dytë me tri pikë. Gjithsesi, duhet pranuar se skuadra e Rustemit ka qene produktive në transferta, kështu që kjo sjellë optimizëm para ndeshjes në Librazhd.
Një nga karakteristikat e mallakastriotëve gjatë fazës së parë kanë qenë barazimet e shumta, ndaj skuadra synon të jetë më konkrete për të mos lënë më pikë rrugës, në mënyrë që të mos ketë pikëpyetje në lidhje me rikthimin direkt në elitën e futbollit shqiptar. Gara sa vjen e bëhet më interesante dhe Bylisi nuk dëshiron të humbasë terren në renditje. Në takimin e fundit, ballshiotët u përballën me disa problematika, pasi në formacion mungonin plot 6-7 futbollistë titullarë.
Shpresa është që për duelin e radhës të rikthehen në dispozicion të stafit Bruno dhe Përndreca. Ky i fundit pësoi një tërheqje të shkallës së lartë gjatë grumbullimit me Shpresat U-21, çka bëri që të mungonte në Vlorë. Ndërkohë, edhe Koxhi ka mbetur jashtë skuadrës, ndërsa në repartin ofensiv Lopez dhe Peter nuk kanë përmbushur ende pritshmëritë, pavarësisht eksperiencës dhe bujës me të cilën mbërritën në Ballsh gjatë verës.
Trajneri Arlind Rustemi dhe stafi i tij shpresojnë që në Librazhd të kenë në dispozicion një kontingjent sa më të plotë. Bylisi kërkon të shfaqet me një tjetër fytyrë në fazën e dytë, duke synuar maksimumin e pikëve në çdo ndeshje. Edhe presidenti Besnik Kapllanaj po qëndron pranë skuadrës, pasi objektivi i klubit mbetet i pandryshuar, rikthimi i skuadrës në Kategorinë Superiore.