E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Pare›Jorgji i nxori lojtarin me të kuq, Smajli: Nuk e di çfarë ndodhi, me 11 kundër 11 do të flisnim ndryshe

Jorgji i nxori lojtarin me të kuq, Smajli: Nuk e di çfarë ndodhi, me 11 kundër 11 do të flisnim ndryshe

Iliria i ka dhënë fund serisë prej gjashtë fitoresh radhazi, një ecuri që i kishte mundësuar skuadrës së Fushë-Krujës të ngjitej në krye të Kategorisë së Parë.

Kryesuesit ishin shumë pranë një tjetër suksesi, këtë herë në transfertën e Lezhës, por në fund u larguan pa pikë, pas humbjes 2-1 ndaj Besëlidhjes. Iliria e nisi mirë takimin dhe po administronte avantazhin 1-0, por një episod në mesin e pjesës së dytë ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.

Dalja me karton të kuq e Brajan Selmanit e la skuadrën e Dritan Smajlit në inferioritet numerik dhe krijoi vështirësi të mëdha për të ruajtur rezultatin. Besëlidhja përfitoi nga kjo situatë, arriti të fitonte në minutar shtesë. Pas ndeshjes, trajneri Smajli nuk e fshehu keqardhjen për rezultatin, duke theksuar se skuadra e kishte përgatitur siç duhet këtë përballje. Ai u ndal veçanërisht te kartoni i kuq, për të cilin pranoi se nuk e kishte të qartë se çfarë ndodhi në atë moment. Sipas tij, largimi i Selmanit prishi ekuilibrat e skuadrës dhe ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin e takimit.

“Më vjen keq për rezultatin përfundimtar, pasi e kishim përgatitur ndeshjen ashtu siç duhet. Kishim dy javë në dispozicion për t’u përgatitur, por nganjëherë planet nuk shkojnë sipas parashikimeve. Dalja me kartonin e dytë të verdhë e lojtarit tonë, për të cilën nuk e di se çfarë ndodhi, na prishi balancat. Po të ishim 11 kundër 11, do të flisnim ndryshe, sidomos duke pasur parasysh rezultatin që kishim në atë moment.

Megjithatë, duhet ta pranojmë se pas daljes me karton të kuq të lojtarit tonë, gjithçka foli në favor të kundërshtarit. U munduam të mbroheshim me sa më shumë forca, por kur prishen ekuilibrat në skuadër, normalisht edhe trajneri e ka të vështirë të bëjë diçka tjetër”, u shpreh Smajli.

Pavarësisht këtij rezultati, Iliria mbetet në garën për kreun dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja që në javën e parë të fazës së dytë. Kalendari i rezervon një transfertë mjaft të vështirë, pasi përballë do të ketë Pogradecin. Liqenorët renditen në vendin e tretë, vetëm një pikë larg skuadrës së trajnerit Smajli, pra një duel i drejtpërdrejtë për kreun.

Lini një koment