FOKUS – Costa u kërkon liderëve të BE-së kompromis për buxhetin afatgjatë 2028-2034
BRUKSEL, 26 nëntor /ATSH – DPA/ – Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u ka bërë thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të tregojnë frymë kompromisi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut për periudhën 2028-2034.
“Me mendje të hapur, qasje konstruktive dhe ndjenjë kompromisi”, deklaroi Costa të enjten, përpara nisjes së samitit të BE-së në Bruksel.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për një buxhet afatgjatë që të jetë në gjendje të financojë prioritetet kryesore të unionit.
Takimi i liderëve, i thirrur nga Costa, synon të afrojë qëndrimet e vendeve anëtare, të cilat kanë dallime lidhur me mënyrën e shpërndarjes së fondeve.
Nga njëra anë, vendet më të pasura të BE-së, që kontribuojnë me pjesën më të madhe në buxhetin e përbashkët, kërkojnë orientimin e më shumë fondeve drejt prioriteteve të reja, si mbrojtja dhe konkurrueshmëria.
Nga ana tjetër, vendet me ekonomi më pak të zhvilluara shprehin shqetësime për financimin e subvencioneve dhe mbështetjen për rajonet e tyre.
Costa nënvizoi se buxheti për periudhën 2028-2034 duhet të jetë i balancuar, duke garantuar mbështetjen për fermerët dhe rajonet, por njëkohësisht duke mundësuar më shumë investime në siguri, mbrojtje dhe konkurrueshmëri.
Presidenti i Këshillit Evropian synon të afrojë qëndrimet e vendeve anëtare për madhësinë e përgjithshme të buxhetit, shpërndarjen e fondeve ndërmjet prioriteteve të ndryshme dhe burimet e reja të të ardhurave për BE-në.
Së fundmi, Costa ka propozuar vendosjen e një takse mbi shërbimet digjitale dhe një takse mbi duhanin si burime të reja financimi për buxhetin e unionit.
Liderët evropianë nuk pritet të arrijnë një marrëveshje gjatë samitit të kësaj jave në Bruksel, ndërsa Costa synon që konsensusi të arrihet deri në fund të këtij viti.