E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama: Elisa është njeri i lirë, nuk është më e detyruar të më ndjekë mua. Spiropali: Liria nuk jepet me dekret

Rama: Elisa është njeri i lirë, nuk është më e detyruar të më ndjekë mua. Spiropali: Liria nuk jepet me dekret

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë përplasjen me Elisa Spiropalin, duke deklaruar se ajo është tashmë një njeri i lirë, që nuk është më e detyruar ta ndjekë atë apo Partinë Socialiste, siç njofton Shqiptarja.com.

I pyetur nëse qëndrimet publike të Spiropalit mund të ndikojnë në perceptimin e zhvillimeve dhe masave të qeverisë, Rama fillimisht theksoi se nuk dëshiron të diskutojë çështje të politikës së brendshme shqiptare në mediat e vendeve të tjera, por bëri një koment për pozicionin e saj: “Plus pastaj, Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”.

Më tej, kryeministri argumentoi se kundërshtitë nuk mund ta dëmtojnë të vërtetën apo faktet: “Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Dhe çdo kundërshti që pastaj dëmton është një arsye për të kuptuar se ku qëndron problemi me ne. Por, për sa u përket kundërshtive që janë rreth e rrotull, janë si ato erërat që vetëm e forcojnë pemën”.

Komenteve të Ramës, Spiropali iu përgjigj nga një tjetër intervistë televizive: “Unë e lirë kam qenë dhe e mirë jam. Liria nuk të jepet me dekret. Lirinë nuk e përcakton kryeministri i vendit dhe as kryetari. Unë, e lirë, e kam ndjekur Ramën, e kam ndjekur sepse e kam besuar. Kam mbajtur mbi fytyrën time baltë që nuk më takonte fare. Kam bërë betejat më të forta publike për PS-në në Kuvend, edhe me Berishën, në mungesë të kryeministrit”.

Lini një koment