Mijëra banorë pa energji elektrike në disa fshatra të Lezhës, OSHEE: Shkak, një defekt në rrjetin elektrik
Mijëra banorë në disa fshatra të Lezhës kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, siç njofton Shqiptarja.com. Ndër zonat e prekura janë Kolshi, Manatia, Treshi, Spiteni, Markatomaj, Zejmeni, Gajushi dhe Pllana.
Mungesa e furnizimit prej disa orësh ka vështirësuar aktivitetin e familjeve dhe subjekteve tregtare, të cilat nuk kanë mundur të vijojnë normalisht punën.
OSHEE bën me dije se shkak i ndërprerjes është defekti në rrjet, ndërsa Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) njofton se grupet e punës vijojnë ndërhyrjet për riparimin e linjave elektrike të dëmtuara nga moti i keq.
Pas disa orësh pa energji, furnizimi ka nisur të rikthehet në disa zona rurale të Lezhës, ku ndërprerja kishte nisur që prej orës 10:00 të paradites. Sipas OSSH-së, pavarësisht kushteve jo të favorshme atmosferike, ekipet kanë arritur të rikthejnë energjinë në një pjesë të zonave, ndërsa puna vijon për normalizimin e plotë të furnizimit.