Ofensiva e Vllaznisë pa konkurrencë, vetëm Balaj bind te kuqeblutë
Në repartin ofensiv të Vllaznisë, aktualisht duket se ka vetëm një emër që gëzon statusin e padiskutueshëm dhe ai është Bekim Balaj. Kapiteni vijon të jetë pika kryesore e referimit për sulmin kuqeblu dhe, pavarësisht moshës 35-vjeçare, mbetet alternativa më e besueshme përpara portës kundërshtare.
Balaj ka jo vetëm besimin e stafit teknik, por edhe një rol lideri që e bën të vështirë të imagjinohet formacioni pa praninë e tij në majën e sulmit. Problemi për Vllazninë qëndron te fakti se konkurenca përkrah tij është thuajse inekzistente. Dy alternativat e tjera të repartit ofensiv, Perez dhe Tounkara, nuk kanë arritur deri tani të bindin dhe minutat e tyre kanë ardhur me pikatore. Në tre ndeshjet e fundit, Perez ka marrë vetëm 11 minuta në total, një tregues i qartë se sa e kufizuar është hapësira e tij në planet e stafit teknik.
Në krahun tjetër, Tounkara nuk ka luajtur asnjë minutë në këto sfida. Më shqetësues është fakti se Tounkara ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës me fanellën e Vllaznisë. Pavarësisht mundësive që ka pasur gjatë sezonit, sulmuesi nuk ka arritur të lërë gjurmën që pritej prej tij dhe tashmë duket gjithnjë e më larg një roli të rëndësishëm në formacion. Edhe Perez, i cili në fillim të sezonit dha sinjale pozitive, nuk ka arritur të konsolidohet dhe aktualisht mbetet një alternativë dytësore.
Në këto kushte, Balaj mbetet praktikisht i vetmi sulmues “race” në dispozicion të Vllaznisë. Kapiteni ka qenë edhe në ndeshjet e fundit një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke treguar se eksperienca dhe efikasiteti i tij vazhdojnë të kenë peshë të madhe. Por mbështetja e gjithë repartit ofensiv te një futbollist i vetëm për një sezon të gjatë mbart rrezikun e konsumimit dhe të mungesës së alternativave në momente vendimtare. Afrimi i janarit e bën këtë situatë edhe më të rëndësishme për drejtuesit shkodranë.
Me Perez dhe Tounkara që nuk po arrijnë të bindin dhe me minutazhin e tyre që sa vjen e zvogëlohet, e ardhmja e të dyve në radhët e Vllaznisë mund të vihet në diskutim. Një ndryshim destinacioni për njërin apo të dy sulmuesit nuk do të ishte i pamundur, nëse situata vazhdon të mbetet e njëjtë deri në hapjen e merkatos. Pikërisht për këtë arsye, në merkaton e dimrit Vllaznia pritet të hedhë sytë me vëmendje në treg për një tjetër element ofensiv. Një sulmues që të sjellë konkurencë reale për Balajn dhe të krijojë alternativa më të shumta në repartin e avancuar do të ishte një nevojë e dukshme për kuqeblutë.
Janari mund të jetë momenti kur drejtuesit duhet të ndërhyjnë për të mos e lënë sulmin të mbështetet vetëm te kapiteni, sidomos në një fazë të sezonit ku çdo pikë merr gjithnjë e më shumë rëndësi.