Tirana bëhet mikpritëse e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes
Tirana do të jetë sot në qendër të vëmendjes rajonale dhe europiane, teksa zhvillohet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Europës së bashku”.
Takimi do të mbahet në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku do të jenë të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të vendeve të rajonit. Diskutimet pritet të fokusohen te avancimi i reformave, ecuria e zbatimit të Planit të Rritjes, si dhe përcaktimi i objektivave të reja strategjike për Ballkanin Perëndimor.
Programi i samitit parashikon nisjen e aktiviteteve në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve pjesëmarrës, ndërsa në orën 12:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për media e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane Marta Kos.
Organizimi i samitit në Tiranë vjen në vijim të takimit mes drejtuesve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar dy ditë më parë në Bruksel.