“Nuk kërkojmë dhurata, por…”! Mbyllet samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama zbardh katër çështjet kryesore të diskutimeve
Në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të katër çështjeve kryesore të diskutuara gjatë takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fokus të diskutimeve ishin reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe qeverisjen, integrimi gradual i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët europian, nxitja e investimeve dhe inovacionit, si dhe zhvillimi i korridoreve të transportit, ndërlidhjeve energjetike dhe rrjeteve digjitale.
Rama u ndal edhe te përfitimet konkrete të Shqipërisë nga Plani i Rritjes, duke bërë të ditur se vendi do të përfitojë edhe 15% shtesë të fondeve, si dhe prezantoi rezultatet e integrimit në sistemet europiane të pagesave dhe objektivat për uljen e tarifave të roaming-ut në vitin 2027.
“Marta, të falënderoj për partneritetin e palëkundur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Falënderoj të gjithë të ftuarit nga rajoni, miqtë dhe përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor. Kanë qenë 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e investimeve BE-Ballkani Perëndimor në edicionin e saj të dytë në Tiranë.
Sot, samiti i planit të ri të rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe, siç e konfirmoi komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus të shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.
Katër ishin diskutimet e brendshme: së pari, reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Së dyti, integrimi hap pas hapi në tregun e vetëm europian. Në 11 muaj janë përfunduar 778 mijë transaksione dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë kursime në vit, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian.
Nga ana tjetër, regjimi i roaming-ut është duke u shtrirë edhe për qytetarët e bizneset e Ballkanit Perëndimor, por edhe për qytetarët që vizitojnë vendet tona. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të shkurtuara të roaming-ut.
Së treti: investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit, por njëkohësisht shtoi premisa për një sërë biznesesh. Ndërkohë, BE-ja përmes Komisionit është duke eksploruar hapa të tjerë të integrimit në tregun e përbashkët.
Së katërti: korridoret e transportit, interkoneksionet energjetike dhe rrjetet digjitale”, u shpreh kreu i qeverisë.