E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Marta Kos: Shqipëria mund të hyjë në BE deri në vitin 2030, negociatat mund të mbyllen vitin e ardhshëm

Marta Kos: Shqipëria mund të hyjë në BE deri në vitin 2030, negociatat mund të mbyllen vitin e ardhshëm

Shqipëria mund të përmbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian në fund të vitit 2027 dhe të bëhet pjesë e unionit deri në vitin 2030. Këtë perspektivë ka prezantuar komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka renditur edhe hapat që duhet të përmbushë vendi për të arritur këtë objektiv.

Gjatë fjalës së saj, Kos theksoi se afati mbetet i kushtëzuar nga rezultatet konkrete në reforma dhe vendimmarrja e vendeve anëtare të BE-së. Sipas saj, nëse Shqipëria përmbush angazhimet dhe merr mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare, në këtë periudhë të vitit të ardhshëm mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave.

Komisionerja europiane e cilësoi zgjerimin si një proces që po merr ritëm, duke vënë në dukje se viti aktual pritet të jetë më i suksesshmi në këtë drejtim gjatë 25 viteve të fundit. Në këtë kontekst, ajo përmendi edhe kontributin e Shqipërisë në ecurinë e procesit.

“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh. Ky vit do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vjet. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë, tani po mbyllim me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria”, deklaroi Kos.

Ajo shpjegoi se përfundimi i kapitujve të negociatave do të hapte rrugën për një fazë tjetër të rëndësishme, atë të përgatitjes së traktatit të anëtarësimit. Sipas kalendarit të paraqitur nga komisionerja, ky dokument mund të nënshkruhet gjatë vitit 2028.

“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, u shpreh ajo.

Kos nënvizoi se kalimi drejt traktatit të anëtarësimit lidhet me mbylljen e të paktën gjysmës së kapitujve negociues dhe krijimin e një grupi pune nga vendet anëtare. Megjithatë, ajo bëri të qartë se procesi nuk varet vetëm nga ecuria teknike, por edhe nga ratifikimi dhe vullneti politik e qytetar.

“Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, përfundoi komisionerja europiane.

Lini një koment