Shiroka-Pula: Nuk mund të flitet për vlera evropiane duke përjashtuar Kosovën
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar që Kosova të trajtohet njësoj si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të bazohet në meritë dhe në kritere të barabarta për të gjitha shtetet e rajonit.
Gjatë pjesëmarrjes në takimin e Iniciativës Brdo-Brijuni, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Shiroka-Pula u ka bërë thirrje liderëve rajonalë që të forcojnë bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe angazhimin për integrimin evropian.
Në fjalimin e saj, ajo ka kritikuar edhe përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i mbajtur më 16 nëntor në Bruksel.
Presidentja ka kundërshtuar gjithashtu lejimin e interpretimit të një kënge me përmbajtje nacionaliste gjatë këtij aktiviteti, e cila, sipas saj, vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ajo e ka cilësuar paradoksale që në një aktivitet të organizuar për zgjerimin e BE-së dhe promovimin e vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që kontestojnë realitetin e saj shtetëror.
Sipas Shiroka-Pulës, veprime të tilla nuk ndihmojnë në ndërtimin e besimit, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve të rajonit.
Ajo ka ritheksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por respektim të parimit të barazisë dhe vlerësim të drejtë në procesin e integrimit evropian.
Presidentja ka nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, ndërsa mungesa e përparimit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat po dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Takimi i Ohrit ka mbledhur përfaqësues të lartë politikë nga rajoni. Në këtë edicion, për herë të parë mori pjesë edhe kryetari i ri i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq. /Telegrafi/