Polonia nënshkruan kontratën rreth 300 milionë dollarë me Palantir për programin e inteligjencës artificiale për ushtrinë
Polonia nënshkroi të premten një marrëveshje me kompaninë amerikane Palantir Technologies me vlerë rreth 300 milionë dollarë për pesë vjet, për blerjen e një programi që përdor inteligjencën artificiale për të mbështetur proceset e vendimmarrjes së komandantëve të ushtrisë, njoftoi Reuters, duke cituar ministrin polak të Mbrojtjes.
“Ky është një moment kthese për aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Polonisë”, tha ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz pas nënshkrimit të marrëveshjes. Sipas raportimeve të mediave polake, sistemi në fjalë është Maven Smart System i Palantir-it, i cili në Poloni do të funksionojë me emrin e koduar Saturn, ndërsa ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Muzeun e Ushtrisë Polake në Varshavë.
Ministri theksoi se Polonia do ta përdorë programin për të ndërtuar aftësitë më të mira të mundshme dhe nënvizoi se të gjithë çelësat, serverët dhe informacionet janë — dhe do të mbeten — pronë ekskluzive e Forcave të Armatosura polake. Kjo çështje kishte ngritur pyetje për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave, pasi avokati i popullit në Poloni kishte kërkuar sqarime se si ishin vlerësuar këto rreziqe.
Bashkëpunimi mes Varshavës dhe Palantir-it nisi në vitin 2025, kur palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që mbulonte inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, kujton Reuters. Kontrata e re është hapi i parë detyrues i këtij partneriteti.
Marrëveshja vjen në një kohë kur politikëbërës evropianë kanë shprehur më herët shqetësimin se kontinenti është tepër i varur nga teknologjia amerikane e mbrojtjes, e cila mund të ndërpritet, duke kufizuar aftësinë e Evropës për t’u mbrojtur vetë. Polonia, ndërkohë, po vijon të investojë fuqishëm në modernizimin e ushtrisë së saj.