E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Marta Kos: Të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin

Marta Kos: Të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar ndikimin e polarizimit politik në Shqipëri në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se dallimet politike janë pjesë e demokracisë, por mungesa e dialogut dhe e bashkëpunimit mes palëve përbën një problem.

Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Mirela Milori, Kos u shpreh se është e rëndësishme që të gjitha palët politike të gjejnë një terren të përbashkët dhe të angazhohen në procesin e integrimit.

“Jo, ndryshimet në mendimet politike janë pjesë e çdo demokracie. Ajo që është e rëndësishme është që të ketë një interes të vërtetë nga të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të gjetur një terren të përbashkët”, deklaroi Kos.

Ajo kujtoi se mungesa e dialogut politik është evidentuar edhe në Raportin e Zgjerimit të Komisionit Europian për këtë vit, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformat që lidhen me anëtarësimin.

“Ne e kemi ngritur çështjen e mungesës së dialogut politik në Raportin tonë të Zgjerimit për këtë vit, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që ata që preken nga reformat që janë bërë, dhe kjo është në fakt e gjithë popullsia juaj, të përfshihen në proces”, tha komisionerja.

Kos theksoi gjithashtu rëndësinë e konsultimeve publike dhe dëgjimit të organizatave të shoqërisë civile, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës.

Ajo shtoi se parlamenti duhet të jetë vendi ku mazhoranca dhe opozita bashkohen për të diskutuar dhe kontribuar në procesin e integrimit.

“Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar i gjithë Shqipërisë. Pra, pres që të gjithë, madje ndonjëherë edhe duke mos rënë dakord, të punojnë për këtë rrugë”, deklaroi komisionerja europiane.

Lini një koment