Komisioneria Kos: Protestat paqësore janë shenjë e demokracisë
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar rolin e protestave paqësore në një shoqëri demokratike, duke theksuar se qytetarët që kërkojnë standarde më të larta për demokracinë, mjedisin dhe pavarësinë e drejtësisë duhen parë si aleatë të integrimit europian.
Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Mirela Milori, Kos u pyet për protestat që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndikimin e tyre në rrugën europiane të Shqipërisë.
Ajo theksoi se Komisioni Europian nuk mban anë në çështjet e brendshme politike të vendit, por nënvizoi se protestat që kërkojnë respektimin e standardeve europiane mund të kontribuojnë në përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.
“Për ne është e rëndësishme që njerëzit të cilët protestojnë në mënyrë paqësore dhe kërkojnë standarde të larta ekologjike ose standarde të larta të demokracisë ose standarde të larta të sistemit të pavarur gjyqësor, të mund të ndihmojnë për ta shtyrë Shqipërinë përpara në rrugën europiane, dhe mendoj se ata duhen trajtuar edhe si aleatë të rrugës drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Kos.
Komisionerja europiane u shpreh gjithashtu se shqetësimet e qytetarëve duhet të merren seriozisht, duke e konsideruar protestën një element të rëndësishëm të funksionimit të demokracisë.
“Kur shoh protesta, kjo është edhe një shenjë se demokracia po funksionon vërtet, sepse, nëse kthehemi pas në kohët e shkuara, në kohët kur Shqipëria ishte një vend i izoluar komunist, nuk mund të protestoje. Pra, kjo shkon krah për krah, shprehja e vullnetit të popullit, shprehja e mospajtimit, kur njerëzit nuk janë dakord, është po ashtu pjesë e proceseve demokratike”, tha ajo.