E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GREQI – Roja bregdetare shpëton mbi 280 emigrantë pranë Kretës dhe Gavdos

GREQI – Roja bregdetare shpëton mbi 280 emigrantë pranë Kretës dhe Gavdos

ATHINË, 27 nëntor /ATSH-DPA/ – Roja bregdetare greke, në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), ka shpëtuar më shumë se 280 emigrantë gjatë 48 orëve të fundit në ujërat pranë ishujve të Kretës dhe Gavdos.
Sipas transmetuesit publik grek ERT dhe mediave lokale, personat u gjetën në të paktën gjashtë gomone dhe mjete të tjera lundruese.

Emigrantët u transportuan në porte të ndryshme në jug të Kretës.

Në operacionet e shpëtimit u përdorën edhe dronët e Frontex-it, të cilët ndihmuan në lokalizimin e disa mjeteve lundruese në det të hapur.

Numri i emigrantëve që tentojnë të kalojnë nga brigjet e Libisë drejt Kretës, përmes rrugës së Mesdheut Lindor, po vjen duke u rritur. Qyteti portual libian i Tobrukut konsiderohet një nga pikat kryesore të nisjes së këtyre udhëtimeve drejt Evropës.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, ka deklaruar se më shumë se gjysmë milioni persona thuhet se po përgatiten të nisen drejt Evropës nga kjo zonë.

Të dhënat tregojnë se numri i emigrantëve që kanë mbërritur në këtë pjesë të Greqisë ka tejkaluar tashmë nivelin e vitit 2025. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), nga fillimi i këtij viti deri më 22 nëntor janë regjistruar afro 25 mijë mbërritje.

Kalimi i Mesdheut mbetet një udhëtim me rrezik të lartë për emigrantët. Ndryshimet e papritura të motit, defektet e motorëve dhe përdorimi i mjeteve lundruese të vjetra e të pajisura dobët përbëjnë kërcënime serioze për jetën e personave në bord./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment