Veliaj në Kushtetuese për hetimet e SPAK, pretendon shkelje procedurale dhe kërkon papërdorshmërinë e provave
Erion Veliaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese ndryshimin e vendimeve të dy shkallëve të Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Lartë, siç njofton Shqiptarja.com. Ish-kryebashkiaku i Tiranës kërkon gjithashtu konstatimin e shkeljeve procedurale të SPAK gjatë hetimeve, shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore dhe papërdorshmërinë e provave të mbledhura kundër tij.
Veliaj pretendon se procedimi penal ka nisur mbi bazën e një kallëzimi të falsifikuar dhe se SPAK nuk ka kryer veprime për identifikimin e kallëzuesit Nesti Angoni. Sipas tij, hetimet janë zhvilluar përtej afateve ligjore, ndërsa hetuesit e BKH-së kanë kryer veprime përpara regjistrimit të procedimit penal.
Ai kundërshton gjithashtu sekuestrimin e të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate, përdorimin e korrespondencës si provë pa bazë ligjore dhe kryerjen e ekspertimeve nga punonjës të vetë organit procedues, në vend të ekspertëve të pavarur. Veliaj pretendon se çështja është hetuar nga një prokuror që nuk plotësonte kriteret ligjore të emërimit dhe që ndodhej në konflikt interesi.
Një tjetër pretendim lidhet me cenimin e së drejtës për mbrojtje efektive. Sipas Veliajt, atij i janë dhënë afate të pamjaftueshme për njohjen me akuzat dhe provat, ndërsa gjykimi në Apelin e Posaçëm është zhvilluar në mungesë të tij dhe të avokatit, gjatë bojkotit të vendosur nga Dhoma e Avokatisë.