E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›UASHINGTON – Trump: Fitorja ndaj Iranit është pranë, SHBA-ja po i jep Teheranit mundësi për marrëveshje

UASHINGTON – Trump: Fitorja ndaj Iranit është pranë, SHBA-ja po i jep Teheranit mundësi për marrëveshje

– Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se fitorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit është pranë, ndërsa theksoi se Uashingtoni po i jep Teheranit mundësi, për të arritur një marrëveshje diplomatike dhe për të shmangur humbje të mëtejshme jetësh, sipas CBS News.

Trump i bëri këto deklarata gjatë një bisede telefonike me efektivët ushtarakë amerikanë të dislokuar jashtë vendit, me rastin e festës së Falënderimeve.

“Fitorja është e arritshme në Iran. Po u japim të gjitha mundësitë, për të arritur një marrëveshje dhe për të shpëtuar jetë njerëzish, por nuk jam i sigurt nëse do të përfitojnë nga kjo mundësi”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai vuri në pikëpyetje gatishmërinë e udhëheqjes iraniane për të pranuar një marrëveshje.

Sipas raportimeve mbi bisedën, Trump u tha gjithashtu ushtarakëve, se fitorja do të arrihet në momentin që ai vetë do të vendosë, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë kontrollin mbi kohëzgjatjen e angazhimit të tyre ushtarak.

Gjithashtu, Trump u shpreh se prania ushtarake amerikane në rajon do të vazhdojë, ndërsa përsëriti se një nga objektivat kryesore të Uashingtonit është të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

Gjatë bisedave me efektivët amerikanë, presidenti vlerësoi gjithashtu rolin e forcave detare, në zbatimin e bllokadës detare ndaj Iranit, të cilën e cilësoi si më të suksesshmen në historinë detare.

Ai bëri të ditur se SHBA-ja ka shtuar praninë e saj ushtarake në rajon, me dërgimin e një aeroplanmbajtëseje tjetër, duke deklaruar se kapacitetet ushtarake amerikane janë forcuar.

Në një prononcim për gazetarët pas bisedave me ushtarakët, Trump konfirmoi gjithashtu se kishte zhvilluar kontakte me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ditët e fundit.

Ai paralajmëroi se në rast të rifillimit të veprimeve ushtarake, SHBA-ja do të godiste Malin e Kamzës, pranë kompleksit bërthamor të Natanzit në Iran.

Presidenti amerikan tha se deri tani nuk kishte vërejtur aktivitet të rëndësishëm në këtë objekt, por përsëriti se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të zotërojë armë bërthamore.

Trump foli gjithashtu për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, por shprehu dyshime për gatishmërinë e Teheranit për të pranuar një zgjidhje diplomatike.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa administrata amerikane po përdor presionin ushtarak dhe ekonomik në përpjekjet për të arritur një marrëveshje. /

Lini një koment